Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri beson se para se sportelet e pagesave për tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit të jenë gati, qeveria dhe kompanitë koncesionare do të kenë gjetur një zgjidhje për qytetarët që e përdorin më shpesh këtë rrugë. Negociatat me koncesionarin dhe konsultimet me banorët e zonës sipas ministrit po vijojnë.
"Nga ana tjetër, dua të them që kemi filluar edhe me evidentimin e të gjitha mjeteve që janë të targuara në Kukës. Jemi duke bërë krahasimet me banorët që janë pjesë e këtij komuniteti dhe që i zotërojnë këto mjete, në mënyrë që të trajtohet ajo fashë e njerëzve që preken nga ky koncesion dhe që jetojnë në Qarkun e Kukësit. Është një proces i filluar mirë dhe besoj brenda një periudhe shumë të shkurtër, përpara se të fillojë dhe njëherë funksionimi i pagesave të Toll-it, ne do të kemi një zgjidhje. Besoj do jetë shumë e pranueshme por njëkohësisht nuk cënon edhe efektivitetin e kontratës, nuk cënon mbarëvajtjen e kontratës për mirëmenaxhimin e kësaj rruge".
Ministri i Infrastrukturës ishte në Kukës ku inspektoi punimet që po kryehen në një nga urat të cilat po dublohen.
"Le të themi që brenda këtij viti, këtë pjesë të autostradës, pra nga Kukësi deri në kufi ta kemi plotësisht të përfunduar. Kjo është edhe për të dhënë një mesazh që qeveria shqiptare i ka kushtuar vëmendje shumë këtij aksi kaq të rëndësishëm rrugor. Një aks që ka marrë shumë para të shqiptarëve por fatkeqësisht nuk ka përfunduar. Ne duam që ta përfundojmë ashtu sikurse duam edhe ta mirëmbajmë këtë aset".
Brenda këtij viti, aksi që lidh Kukësin me Morinën, pjesë e Rrugës së Kombit do të jetë i përfunduar me urat e dubluara dhe elementët e sigurisë rrugore.
Qendro sqaroi se tanimë janë programuar fondet dhe do të garantohet përmbyllja e dy kontratave të zvarritura prej vitesh e që kanë të bëjnë me përfundimin e 7 urave. Sipas tij, moskryerja e investimit në kohë dhe defektet që e kanë shoqëruar në fazën e zbatimit, kanë shkaktuar tashmë mosrakordim të trupit të rrugës me urat dhe veprat e artit janë në disnivel. Për këtë shkak, ARRSH ka filluar procedurat për plotësim rakordim masash mbrojtëse dhe siguri rrugore në aksin Kukës- Morinë.
Ndërhyrja zgjidh problemin e ndërtimit të rrugëve lidhëse të fshatit Pobreg me qëllim hyrje-daljen e mjeteve të kësaj zone në aksin Kukës-Morinë. Gjithashtu, për rritjen e sigurisë rrugore dhe qarkullimin e këmbësorëve në fshatrat e komunitetit anës segmentit Kukës-Morinë, parashikohet vendosja e tre mbikalimeve.
Ministri Gjiknuri tha se ky segment i autostradës u la i papërfunduar për shumë vite duke u kthyer në një burim aksidentesh. /abcnews.al