Deputetja e PS, Elisa Spiropali, e ftuar në studion e Report Tv, u shpreh kundër leximit që i bën opozita rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave. PD dhe LSI u shprehën se rekomandimi i Brukselit është me kushte, pasi Shqipëria do jetë në monitorim të fortë deri në muajin qershor kur të mblidhet Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE.
Por për deputeten socialiste, Elisa Spiropali, rekomandimi nuk ka asnjë kusht, pasi tashmë Reforma në Drejtësi është miratuar dhe ka nisur zbatimi i ligjit të Vettingut i cili ka spastruar nga sistemi i drejtësisë ata që e shkatërruan drejtësinë në këtë vend.
Rekomandimi është pa asnjë kusht, s?ka detyra të reja si në 2016-ën për Reformën në Drejtësi që duhej përmbushur. Rekomandimi thotë se është bërë progres në reformën në gjyqësor, administratën publike. Shqipëria ka kaluar ligjin, sa i takon mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në administratën publike është bërë progres i konsiderueshëm, administrata nuk flaket më në rrugë sa herë ndryshon pushteti, por po kalon në filtrime, kritere e konkurse për një pakësim të politikës për të ndërhyrë në administratë.
Administrata është ajo që do ndërhyjë dhe do diskutojë për kapitujt. Vlerësimet e komisionit flasin vetë për progresin që është bërë. Reforma në drejtësi konsiderohet tashmë si një sukses. Rezultatet e Vettingut dhe reformës janë tashmë të dukshme, njerëz të rëndësishme të sistemit të drejtësisë po dalin nga sistemi dhe po japin llogari për dëmet që i kanë shkaktuar këtij sistemi.
Në nivelet më të larta jo vetëm kanë rënë në rrjetën e Vettingut, por edhe po procedohen penalisht. Lufta kundër krimit gjithashtu dëshmon vullnetin e madh për të çrrënjosur këtë murtajë që kishte zënë Shqipërinë. Pa luftën kundër krimit dhe sundimit të ligjit nuk mund të ketë progres.
Elisa Spiropali, deputete e PS