Federata Shqiptare e Futbollit nuk po gjen qetësi.Tatimet kanë kërkuar të kontrollojnë të ardhurat nga pagat, shpërblimet dhe honoraret e punonjësve të institucionit të futbollit shqiptar nga viti 2010 deri 2018. E gjitha kjo pas iniciativës së deputetit Erjon Braçe, që për Report Tv, ka shpjeguar pse bëhet ky kontroll.
Ndërkohë, federata e ka quajtur shkelje ligjore dhe të motivuar politikisht. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dërguar dy inspektorë në FSHF për kontroll. Me anë të shkrese, të firmosur nga drejtori rajonal Dionis Imeraj, Tatimet kërkojnë kryerjen e kontrollit në federatë. Kërkesa është dërguar më 3 prill në federatë dhe përmban 2 pika kryesore:
1. Listën e personave të kontraktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit nga viti 2010 deri në janar të vitit 2018.
2. Tatimi në burim për të ardhurat nga paga, shpërblimet, bonuset, honoraret për secilin, si të ardhura të tatueshme nga viti 2010 deri në janar të vitit 2018.
Federata Shqiptare e ka quajtur këtë kërkesë të motivuar politikisht, duke cituar që institucioni i futbollit auditohet çdo vit dhe ka një raport, audit i njohur edhe nga UEFA dhe FIFA. Sipas FSHF, Tatimet mund të kërkojnë vetëm shpjegime dhe jo të kontrollojnë, duke drejtuar gishtin nga deputeti Erion Braçe, i cili e ka pranuar publikisht që ai është iniciuesi i këtij kontrolli, por nëpërmjet organeve ligjzbatuese.
Ndërkohë, sipas burimeve në federatë, kjo e fundit ka informuar UEFA-n dhe FIFA-n në lidhje me kontrollin. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë, Erjon Braçe, tregon për Report Tv pse u ndërmor një iniciativë e tillë ndaj FSHF-së.
Nuk është Kuvendi që ka kërkuar kontroll, por jam unë, kryetari I Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, që në zbatim të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, të ligjit për të drejtën e informimit, jam drejtuar organeve të tatim-taksave, me kërkesën për të marrë informacion mbi rrogat, shpërblimet, bonuse, pagesave të tjera, të cilat sipas ligjit, tatimi mbi të ardhurat personale, tatohen të gjitha, qindarkë për qindarkë.
Erjon Braçe, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave