Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e kaluar Kamzën, ku një tentativë grabitjeje në rrugën "OSBE" ka përfunduar me vrasje. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes që lamë pas, ku u vra shtetasi Agim Buçi, 52 vjeç, baba i katër fëmijëve dhe u plagos me thikë bashkëshortja e tij, Merita Buçi, 44 vjeçe. Minimarketi ndodhej shumë pranë banesës së familjes Buçi. Në dyqan me dy prindërit ka qenë edhe djali 6-vjeçar i cili është bërë dëshmitar i të gjithë skenës së krimit, ndërsa është gjetur në gjendje shoku nga të afërmit.
Report Tv ka siguruar foton e viktimës, pronarit të minimarketit, i cili humbi jetën në përleshje me grabitësit. Këta të fundit u futën në minimarket me kapele në kokë dhe armë, duke kërcënuar çiftin e pronarëve t?iu dorëzonin xhiron ditore, por kanë hasur në kundërshtim prej tyre. Dyshohet se autorët janë të rinj, pasi sipas dëshmive kanë qenë të veshur sportiv.
Pas përleshjes, autorët kanë qëlluar me armë fillimisht bashkëshorten e cila ka marrë një pumb në këmbë. Agim Buci ka tentuar t'i sulmojë autorët me një thikë, por njëri prej tyre e qëllon atë me pistoletë, duke i shkaktuar plagë të rënda në organet jetike.Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe dëshmisë së të afërmve dhe fqinjëve, grupi hetimor ka rindërtuar skenën si ndodhi vrasja e mbrëmshme në Kamëz, gjatë tentativës për grabitjen e një minimarketi. Fillimisht grabitësit janë futur në minimarket dhe i kanë kërkuar lekët Merita Bucit. Ajo ka ngritur duart lart dhe u ka thënë nuk kam lekë.
Më pas njëri prej grabitësve e ka qëlluar me pistoletë në këmbën e djathtë. Agim Buci ka qenë te pjesa e jashtme e marketit duke rregulluar arkat e fruta-perimeve.
Kur është futur në dyqan Agimi është përballur me grabitësit. Në një moment Agimi ka marrë thikën e djathit dhe ia ka drejtuar grabitësve. Këta të fundit e kanë qëlluar në pjesën e barkut 1 herë.
Më pas grabitësit janë trembur dhe kanë ikur me shpejtësi. Djali i vogël ka parë gjithë skenën kur është plagosur mamaja e tij dhe më pas është fshehur poshtë banakut. Djali ka parë edhe babin të mbuluar me gjak.