Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në afërsi të fshatit Derven në Fushë Krujë, ku një automjet është djegur tërësisht bashkë me një person brenda. Viktima dyshohet se është një shqiptar nga Kosova, i identifikuar si Xhavit Osmani.
Të paktën te kjo e dhënë arrihet përmes pronësisë së automjetit tip "Volkswagen Turan", me targa të Mitrovicës, i cili figuron i regjistruar në emër të Osmanit. Kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë njoftuar policinë menjëherë pasi kanë lokalizuar tymin dhe flakët pranë disa shkurreve.
Ngjarja dyshohet të jetë kriminale, megjithatë grupi hetimor po punon për saktësimin e plotë të rrethanave, ndërkohë Prokuroria e rrethit Krujë në bashkëpunim me policinë po mbajnë kontakte me autoritetet e Kosovës për të parë nëse Xhevdet Osmani rezulton i zhdukur apo jo dhe nëse është i përfshirë në ndonjë aktivitet kriminale përfshi këtu edhe trafikun e lëndëve narkotike.
Makina me targa të Mitrovicës, identifikohet pronari
Burime për Report Tv thanë se makina është me targa të Mitrovicës, 02 960 SN, në pronësi të Xhavit Osmanit, banor i kryeqendrës së veriut të Kosovës. Mbetet e pakonfirmuar nëse viktima është vetë pronari i automjetit. Burimet saktësuan se automjeti ka hyrë në Shqipëri përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës rreth pesë ditë më parë.