Policia e Shkodrës i ka ngritur kurth një grabitësi serial. Në prangat e policisë ka rënë 33-vjeçari, Sokol Dedaj, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër, i cili u arrestua në kuadër të operacionit policor "Long Wait". Ai njihej si problematik në zonë dhe i dyshuar për një seri grabitjesh. Pasi është mbajtur në monitorim nga forcat e rendit, 33-vjeçarit i është ngritur kurth nga policia teksa shkon të grabisë një banesë.
Arrestimi i tij u bë pasi u kap në tentativë për të vjedhur me armë zjarri banesën në pronësi të shtetases T. V. 63 vjeçe, në Dajç Bregu i Bunës, Shkodër. Në momentin e kapjes iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri automatik model 56, me një krëhër me fishekë.