Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Për të tretin vit me radhazi, ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze është ndalur në Durrës, ku ka nisur gërmimet në Forumin Mesjetar, në një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike kulturore e historike.
Gërmimet kanë filluar këtë fillim jave dhe pas 4 ditësh, gjatë procesit fillestar të punës që ka të bëjë me pastrimin e sipërfaqes, ku do të sondohet nepërmjet gërmimeve arkeologjike, kanë dalë në dritë objekte që i përkasin një civilizimi më të vjetër se ai bizantin.
Sipas burimeve, specialistët kanë konstatuar se janë zbuluar fragmente muresh që i përkasin shtresëzimit të periudhës romake. Këto mure, sikurse edhe shikohet janë në një nivel me objektin e termave romake të zbuluara poshtë ndërtesës së teatrit ?Aleksandër Moisiu? të Durrësit.
Gërmimet, të cilat mbikëqyren edhe prej dy arkeologëve Brikena Shkodra dhe Eduart Shehi, po kryhen në pjesën jugore të Forumit për të bërë lidhjen midis banjave që i përkasin periudhës romake që gjenden poshtë pallatit të kulturës.
Vetëm pas një muaji pritet që ekspedita franceze të dalë me konkluzionet përfundimtare mbi zbulimet arkeologjike, në të cilat fle qyteti antik i Durrësit. Gërmimet do të vijojnë edhe më pas, dhe arkeologët shprehen se poshtë këtij civilizimi mund të gjenden edhe gjurmë të kulturës helenistike si dhe asaj ilire.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/durres-zbulohen-fragmente-muresh-te-periudhes-romake