Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur kryeqytetin mëngjesin e kësaj të premteje. Një i ri ka vrarë me dy plumba pistolete një vajzë dhe më pas ka qëlluar edhe veten me plumb pas koke, duke ndërruar jetë një orë më vonë në spital. Report Tv mëson se viktimat e këtij krimi të rëndë janë 31-vjeçari Xhaferr Mata nga Kalimashi dhe 19-vjeçarja Xhuljeta Çuni nga Vinjolli i Milotit.
Ngjarja tragjike ka ndodhur përballë Kishës, në zonën e 'Don Boskos', ndërsa Report Tv mëson se dyshohet për një krim pasioni. Burime të Report Tv bëjnë me dije se një lidhje e prishur mes dy të rinjve ka çuar në aktin tragjik, ku i riu ka qëlluar për vdekje vajzën. Më pas, ai ka qëlluar edhe veten, me plumb pas koke dhe ka ndërruar jetë një orë më vonë në spital.
31-vjeçari Mata kishte një servis brenda ambienteve të shtëpisë së tij, ku punonte, ndërsa 19-vjeçarja Çuni punonte në një supermarket aty afër. Shkak dyshohet një lidhje e prishur. Report Tv mëson se e reja është ngacmuar shpesh nga 31-vjeçari, i cili babai i një fëmije dhe i divorcuar, si në vendin e punës edhe në rrugë, dhe për këtë e reja e kishte denoncuar edhe në polici. Uniformat blu kishin thirrur të dyja palët, ku Xhaferr Mata kishte deklaruar se nuk do ta ngacmonte më, por sot ai i mori jetën, duke e qëlluar me dy plumba.