http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Fillimi i javës pritet të jetë një ndër momentet më të rëndësishme të procesit të Vetting-ut. Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vendosë nëse ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do t?i nënshtrohet hetimit të pasurisë, si dhe analizës së figurës morale dhe aftësive profesionale.
Kolegji është mbledhur me kërkesë të Komisionerit Publik, i cili ka kundërshtuar vendimin për ndërprerjen e vetting-ut nga Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim në këtë institucion.
Po gjatë kësaj jave, do të jetë sërish Komisioni i vetting-ut, që do të thotë fjalën e fundit ndaj kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Nga hetimi administrative, rezultoi se Dedja ka probleme me justifikimin e pasurisë, edhe pse pala mbrojtëse mësoi të tregonte se gjithçka është ligjore.
Që nga nisja e verifikimit personave më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit ka marrë 12 vendime nga të cilët 7 gjykatës dhe prokurorë e kanë kaluar me sukses dhe për 5 të tjerë është vendosur largimi.
Me sukses e mbyllën vetting-un gjyqtarja pa mandat e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, gjykatësi i Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës Manjola Xhaxho, ajo e Kurbinit Marçela Shehu.
Po ashtu, janë rikonfirmuar në detyrë Dritan Prençi, Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Fatjona Memçaj, prokurore në Prokurorinë e Apelit Tiranë.
Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit, pasi ka gjetur probleme në justifikimin e pasurisë, ka përjashtuar 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulon, Fatmir Hoxhën dhe Altina Xhoxhajn. Vendim negativ është dhënë edhe për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva dhe prokuroren e Prokurorisë së Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani.
Në kushtet e këtyre vendimeve Gjykata Kushtetuese është përfshirë në kolaps institucional. Deri më sot, përveç kryetarit të Kushtetueses, në Gjykatën më të rëndësishme në vend, ka mbetur me mandat vetëm një gjyqtar, Gani Dizdari, nga 9 që duhet të ketë e gjithë trupa.
Ndërkohë që edhe Dizdari pritet t?i nënshtrohet Vetting-ut. Procesi i skanimit të trupës së Kushtetueses ka larguar 3 gjyqtarë, ndërkohë që Besnik Imeraj ka dhënë dorëheqjen. Për shkak të kësaj situate, prej javësh Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, në pritje të emërimit të anëtarëve të rinj.