Një ditë pas takimit në Presidencë me Kryeministrin Edi Rama, kreu i shtetit Ilir Meta ka konfirmuar edhe zyrtarisht se arsyet e vizitës sipas tij, kishin të bënin me marrëveshjen e detit.
Presidenti përpiqet të nënvizojë qartë se pavarësisht diskutimit me kreun e qeverisë, ai pret që informacionet zyrtare sa i takon negociatave me palën greke për marrëveshjen e re detare, e pret nga institucioni që ngarkon ligji.
"Takimi i djeshëm me Ramën ka qenë normal. Natyrisht edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë, kemi diskutuar, por jemi në një proces për të marrë vendime të mëtejshme, pasi Presidenca pret informacione edhe më të plota, sipas standardeve më serioze, që meriton kjo çështje?.
Presidenti ka shmangur një përgjigje të prerë për dhënien e autorizimit në rastin kur drafti i marrëveshjes së re të jetë gati, por ai u ndal gjatë tek rëndësia që ka rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhet të vendosë mbi vlefshmërinë e këtij dokumenti, siç ndodhi në 2009.
"Është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një Gjykatë Kushtetuese funksionale për të vlerësuar kushtetutshmërinë e debateve, ligjeve dhe akteve."
Meta nuk flet as për vija të kuqe dhe as për kushte, por specifikon se do të bazohet vetëm tek hapësirat që i lë Kushtetuta për vendimmarrjen e tij.
Mes shumë pyetjeve që Presidenti pranoi të përgjigjej, në një aktivitet të Kryqit të Kuq, ai komenton dhe debatin për teatrin mes artistëve dhe një ish-artisti si Kryeministri.
Për çeljen e negociatave, një tjetër temë që është diskutuar në takimin mes Ramës dhe Metës, ky i fundit përsërit të njëjtin qëndrim, rëndësinë që hapja e tyre të ndodhë në Qershor, veç të tjerave edhe për të rritur kontrollin e BE mbi reformat e Shqipërisë.