Përpos ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, një tjetër dorëheqje befasishme dhe e shumë komentuar nga sistemi i drejtësisë, për t?i shpëtuar skanimit të trefishtë të Vetingut, ishte edhe ajo e Erlindi Bashës, vëllai i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Po si i shpëtoi Erlindi Basha Vetingut? Ndryshe nga Llalla dhe disa gjyqtarët, vëllai i kryetarit të opozitës, i cili ka shërbyer si ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë, nuk ka pritur fundin e betejës ligjore të Partisë Demokratike dhe një grupi gjyqtarësh kundër ligjit të Vetingut në Gjykatën Kushtetuese, për të dhënë dorëheqjen. Basha është larguar nga sistemi një muaj pasi ligjit i Vetingut është botuar në Fletoren Zyrtare, për rrjedhojë brenda afatit tremujor të parashikuar. Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare në 23 shtator të 2016, ndërsa Basha ka paraqitur dorëheqjen tek presidenti në 24 tetor të 2016. Kjo lëvizje ka detyruar komisionin e Vetingut të ndërpresë verifikimin e trefishtë për vëllain e Bashës, Erlindi Basha.
Rrethanat e dorëheqjes
Rrethanat e dorëheqjes së vëllait të Bashës pasqyrohen në një vendim të posaçëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, me trupë gjykuese të përbërë nga Genta Tafa, Roland Ilia dhe Xhensila Pine. ?Subjekti i rivlerësimit Erlindi Basha ka dhënë dorëheqjen nga detyra që ushtronte duke e paraqitur këtë dorëheqje, me shkrim pranë Presidentit të Republikës, i cili e ka publikuar këtë fakt në faqen zyrtare të institucionit. Nëpërmjet shkresës nr. 688/1 prot., datë 19.03.2018, Presidenti i Republikës ka njoftuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për dorëheqjen e subjektit të rivlerësimit z. Erlindi Basha në datën 24.10.2016, protokolluar nga ana e Institucionit të Presidentit të Republikës me nr. 53/E prot., datë 24.10.2016?, thuhet në vendimin e trupës gjykuese. Në vendim referohen edhe afatet përkatëse.