E quan fitore historike, por thotë se maxhoranca nuk po feston shtyrjen me 12 muaj të hapjes së negociatave. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi pranon se Shqipëria është nën lupën e BE për të gjitha hapat e hedhura gjatë procesit të integrimin, por është i vetëdijshëm që është praktikë normale kontrolli për vendet aspirante.
Megjithatë Kryeparlamentari përjashton se ka kushte të reja ndërsa i njeh meritën opozitës dhe gjithë paraardhësve për çfarë kanë bërë dhe mbetet duarshtrirë për bashkim votash në sallën e parlamentit për ligje me interes kombëtar.
Ruçi kërkon konsensus dhe për nismën e PS për t'i hapur rrugën pranimeve të reja në Shkollën e Magjistraturës, si dhe emërimit të magjistratëve të rinj. Ndërsa lajmëron se po negociohet për të arritur shumicën prej 84 votash të nevojshme për miratimin e projektligjit.
Ruçi komenton dhe debatin për ngritjen e teatrit të ri dhe përfshirjen në të, edhe të parlamentit që kaloi me votat e maxhorancës propozimin për të kaluar me procedurë të përshpejtuar projektligjin që i hap rrugën shembjes se godinës se Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të riu.