Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi me 7 muaj e 15 ditë burg, aq sa kërkoi prokuroria. Për shkak se përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, dënimi u ul në 5 muaj, po duke pasur parasysh që kishte qëndruar katër muaj në ?arrest shtëpie?, masa e dënimit që mbeti për të vuajtur ishte vetëm 1 muaj burgim dhe në fund dënimi u pezullua duke u konvertuar në 60 orë punë publike të detyruar.
Elvis Roshi u akuzua për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Në sallën e gjyqit në seancën e kaluar, Roshi pasi kërkoi gjykim të shkurtuar, që u pranua nga gjykata, pranoi falsifikimin dhe tha se për shkak të neglizhencës e ka plotësuar gabim formularin. Ai ishte i pranishëm në seancën e sotme në gjykatë, por nuk pranoi që të fund të bënte komente duke u larguar nga dera e pasme.
Tashmë pritet që të shikohet nëse Roshi do të apelojë vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë. Nëse do e pranojë, Shërbimi i Provës do të zgjedhë punën e detyrueshme prej 60 orësh që do të bëjë Elvis Roshi në komunitet. Elvis Roshi është zyrtari i parë i lartë që dënohet për efekt të ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri.