http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
2018 do të jetë viti kur kultivimi i kanabisit do të jetë zero. Këtë deklaratë e beri ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj, nga Vlora qytet ky i cili ka qenë në qendër të vëmendjes për këtë fenomen vitet e fundit.
Frenim i kultivimit dhe trafikimit te hashashit, për ministrin është meritë e policisë së qytetit bregdetar.
"Ende ka vend për kujdes të shtuar për frenimin e trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore. Ne mbetemi të kujdesshëm. Por zona e Vlorës ka rezultate të pakrahasueshme në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo është meritë e strukturave policore. Di të them që ky do të jetë viti i zero kultivimit të kanabisit."
Ministri ju përgjigj edhe akuzave të opozitës, duke deklaruar se treguesit e sigurisë publike janë në përmirësim.
"Çdo opozitë natyrisht nuk ka për detyrë të përkëdhelë qeverinë, por çdo opozitë duhet të jetë e përgjegjshme në atë që thotë dhe atë që bën. Motoja që ka sot opozita është shpifja se diçka do të mbetet. Është zgjidhja më e gabuar që ka bërë dhe në mungesë të plotë alternative, por edhe në dëm të imazhit të vendit dhe Vlorës. Natyrisht opozita do të bëjë të vetën, dhe ne jemi këtu të bëjmë tonën. Unë besoj se treguesit e sigurisë janë në përmirësim dhe do të jenë akoma më shumë."
Vlora ? shtoi ministri Xhafaj - ka një ngarkesë të madhe turistike gjatë sezonit, ndaj dhe për këtë qëllim ka një vëmendje më të madhe nga strukturat e policisë.
"Vlora ka vëmendjen e shtuar të qeverisë këtë sezon përsa i përket potencialeve dhe fluksit turistëve që ka. Të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar janë shpërndarë për të kryer detyrat e tyre. Unë, kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë jemi caktuar këtu. Arsyeja tjetër pse jam këtu është takimi me drejtorët e departamenteve të policisë. Në Vlorë për sezonin kemi sjellë më shumë forca policore. Të gjitha këto kanë të bëjnë më sigurinë dhe me një shërbim më të mirë.'
Xhafaj sqaroi edhe për ngjarjen në një lokal nate ne Dhërmi, ku një person qëlloi me pistoletë në mes të njerëzve, duke thënë se krimi po zbardhet nga drejtësia.