Shkëlzen Selimi gjyqtar i gjykatës së lartë e ka quajtur procesin e vetingut ndaj tij si të paragjykuar, dhe u largua nga salla. Selimi bëri një kërkesë paraprake para KPK-së, ku tha se seanca dëgjimore në ngarkim të tij duhet të pezullohej dhe të hetohej nxjerrja e informacionit konfidencial. Kjo kërkesë e tij u refuzua. Sipas KPK probleme me pasurinë ka edhe gjyqtari tjetër i gjykatës së lartë Artan Broci i cili i tha KPK se ikën në burg që sot, nëse i faktohen problemet. Me vetingun u përball edhe prokurori i Tiranës Dritan Rreshka.
Me vetingun sot u përball edhe Artan Broci anëtar i Gjykatës së Lartë.
Vetë gjyqtari është paraqitur në seancë duke zgjedhur të mos përfaqësohet nga asnjë avokat.
Sipas raportit të ILDKP-së, deklarimet e tij janë të sakta dhe nuk ka fshehje, ndërsa DSIK e ka deklaruar të përshtatshëm. Por relatorja e KPK-së, tha se Broci ka mospërputhje mes deklarimeve, duke cituar një shitblerje shtëpie dhe një shtesë në banesën e tij në Tiranë. Ndërkohë, KPK hodhi dyshime mbi një apartament në Rrugën e Dibrës në Tiranë, në të cilën kontratat e energjisë dhe ujit janë në emër të Artan Brocit, por gjyqtari mohoi të kishte lidhje me atë pronë.
I fundit për sot që u përball me vetingun ishte kreu i prokurorisë së Tiranës Dritan Rreshka, i cili u shoqërua edhe nga avokati Arben Rakipi. ILDKP kishte raportuar për pasuri të pajustifikuara, por Rreshka tha se se deklarata e inspektoratit është e një anshme, pasi prokurori ka pasur një proces gjyqësor ndaj ILDKP-së.
Sa u takon burimeve të pasurisë, Rreshka bëri parashtrimet e tij.