"Më tha vendose tritolin te shtëpia ime, se e dua për azil". Kështu është shprehur Vilson Brahja, i riu i akuzuar për atentatin me eksploziv në banesën e Gazmir Dacit në Bathore javën e kaluar. Daci ndodhet në burg i dënuar me 35 vite për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe ngjarja u dyshua për hakmarrje mes dy fiseve. Sipas Prokurorisë, Brahja u identifikua nga pamjet filmike teksa largohej me një automjet me targa të Kosovës pak çaste pas ngjarjes.
Përpara trupi gjykues Brahja ka rrëfyer se para tre vitesh ka njohur një shok në shkollë dhe ai para pak ditësh i ka kërkuar t'i gjente dikë për të vendosur tritol në një objekt. Brahja ka shtuar se ai e ka marrë vetë përsipër aktin kundrejt 5 mijë eurove, 1500 nga të cilat i ka marrë cash, ndërsa pjesën tjetër nuk e ka marrë kurrë pasi porositësi i ka fikur telefonin të nesërmen, një ditë pas shpërthimit te banesa në pronësi të Xhelal Dacit, babai i Gazmir Dacit.
Ai ka thënë se veprën e ka kryer kundrejt pagesës dhe se nuk ka lidhje me konfliktin e fiseve Daci-Kolaveri. Brahja është penduar përpara trupës gjykuese, ndërsa ka dhënë detaje për porositësin. Sipas tij, ai ka qenë një i ri rreth moshës 24-25 vjeç i cili i ka thënë të vendoste tritolin te banesa e Dacit, pasi i ka thënë se ishte shtëpia e tij, dhe e donte për të përfituar azil në vendet e BE. Brahja nuk ka qenë në gjendje të identifikojë nëse porositësi ka lidhje apo jo me fisin Daci.
Këtë vepër e bëra kur nuk e dija që këto familje janë në gjak. Më ka thënë ai që më pagoi do vendosësh tritol këtu tek kjo shtëpi. Është shtëpia ime dhe e dua për azil. Djalin që më pagoi është 24-25 vjeç, jeton në Bathore. Tritolin ma solli ai. Më tha vendose këtu. Është shtëpia ime kjo, do të paguaj 1500 euro. S'e dija e kujt ishte shtëpia. Të nesërmen e mora në telefon, lekët s'mi dha. I thashë më fute në gjak me të tjerët. Të nesërmen i doli telefoni i fikur. E kam bërë për hall z.gjyqtar. Unë jam banor në Kamëz shtëpia që e vura e në bathore. E mora vesh në lajme çfarë kisha bërë.