Gjykata e Tiranës nuk pati dyshime për të lënë në arrest me burg Vilson Brahjan. Ai akuzohet si personi, i cili vendosi tritoli në banesën e familjes Daci në Bathore, 5 ditë më parë. 23-vjeçari ka pranuar në gjykatë se është ai autor dhe se e kishte kryer këtë për para.
Brahja shfaqi pendesë duke sqaruar se sapo ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte mbetur pa punë. I riu i ka thënë gjykatës se kishte takuar një mikun e tij, të cilin e kishte patur në shkollë, të cilit nuk ia mbante mend emrin. Ai i kishte kërkuar Brahjas t'i gjente një person për të vendosur tritolin në banesën e familjes Daci. Por i arrestuari i kishte thënë që këtë punë do ta kryente ai kundrejt shumës prej 1500 Euro.