http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Genova ndodhet sot në ditën e dytë të zisë për shkak të tragjedisë së 14 gushtit, ku të paktën 39 persona humbën jetën ndërsa 16 te tjerë u plagosën, për shkak të shembjes së urës Morandi.
Mes atyre që humbën jetën ishin dhe dy shqiptarë, ndërkohë që 2 nga viktimat nuk janë identifikuar ende.
Ekipet e shpëtimit kanë vijuar operacionin e kërkimit, pas shkëputjes disa orëshe të së mërkurës për shkak të rrezikut se një pjesë betoni ishte gati të shkëputej nga struktura.
16 persona rezultojnë ende të zhdukur nën gërmadhat e betonit të urës së shembur.
Sot kërkimet janë përqendruar në zonën pranë hekurudhës në anën e majtë të lumit Polcevera, pavarësisht se shpresat për të gjetur të mbijetuar janë shumë të pakta. Por kërkimet marrin kohë për shkak të zhvendosjes së pjesëve të mëdha të betonit.
Në mesin e 39 viktimave kishte familjarë, të rinj por edhe fëmijë, mes tyre edhe 2 shqiptarët Marjus Djerri nga Shijaku dhe Admir Bokrina nga fshati Oblik i Shkodrës. Të dy kishin jetuar prej vitesh në Itali, ndërsa në momentin e tragjedisë ishin duke udhëtuar me një kamionçinë të bardhë, duke shkuar për në punë.
Mes viktimave janë konfirmuar edhe 3 shtetas francezë.
Ndërkohë numri i banorëve të evakuuar për motive sigurie ka shkuar në 632.
Mes atyre që kaluan në urën rreth 45 metra të lartë, kishte edhe njerëz me fat. Ai është shoferi I një kamioni, I cili arriti të ndalte automjetin në momentin e duhur teksa ura ishte shembur. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se 37-vjeçari është në gjendje shoku, dhe thellësisht I tronditur nga ngjarja e rëndë. Shoferi ka treguar se ditën e tragjedisë koha ishte e keqe dhe se ai po udhëtonte ngadalë. Kur dëgjoi zhurmën e fortë, ai frenoi menjëherë, duke I shpëtuar rënies nga lartësia.
Ndërkohë Kryetari i Bashkisë së Genova ka informuar se të shtunën më 18 gusht në orën 11:00 do të zhvillohet një ceremoni shtetërore për të nderuar viktimat e tragjedisë në urën Morandi, ku të pranishëm do të jenë edhe autoritetet më të larta të shtetit Italian.