Një përgjim audio i pjesshëm i një bisede mes nënkryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar të Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku, nxorri në konferencë të posaçme shtypi kreun e Partisë Demokratike, që e quajti provë se qeveria po funksionon si organizatë kriminale dhe si po e kap ai drejtësinë përmes reformës së re.
Lulzim Basha: "Siç jeni njoftuar përmes medias sot, një audio regjistrim ku dëgjohet shkoqur sesi gjyqtari shqiptar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, shantazhohet në emër të Engjëll Agaçit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe krahut të djathtë të Edi Ramës, të ndikojë për të bllokuar vendimet e Strasburgut për pronat, siç e kërkon qeveria e Edi Ramës dhe kundër pronarëve shqiptarë, përbën provën më tronditëse të zbuluar në këto 28 vite, që fakton që qeveria e Edi Ramës me të në krye tashmë funksionon si një organizatë tipike mafioze. Audio regjistrimi i Denar Bibës, aktualisht nënkryetar i KQZ-së dhe kandidat i Edi Ramës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme sesi e sheh dhe e projekton Edi Rama drejtësinë e re".