Pas dy javësh, të gjithë makinat që do të kalojnë në tunelin e Kalimashit do të paguajnë tarifë. Pavarësisht nga protestat e dhunshme të disa muajve më parë, që sollën pezullimin e projektit koncesionar, duket se qeveria është e vendosur ta verë në jetë atë duke filluar nga 17 shtatori, në përfundim të sezonit të sivjetëm turistik veror. Kjo është konfirmuar edhe nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë prezantimit të paketës lehtësuese për qytetarët dhe bizneset që e përdorin shpesh këtë rrugë, ndërkohë që, në një prononcim për Scan TV, përfaqësues të këtij dikasteri thanë se nuk do të ketë asnjë shtyrje të afatit, duke rikonfirmuar nisjen e pagesës në këtë aks rrugor.
Paketa
Ndryshe nga hera e parë, tanimë është përpunuar një paketë lehtësish pë rata që e përdorin më shumë rrugën. Do të jetë një pajisje e posaçme ? telepass ? e cila do të mundësojë tarifimin e reduktuar të mjeteve të tilla.
Paketa përfshin një tarifë prej 100 lekësh me TVSH për çdo kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës. Ajo do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për t?u përdorur brenda periudhës njëmujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime. Karta përkatëse do të blihet me parapagim. Kjo skemë ka të bëjë me makinat tip veturë familjare, që janë regjistruar për përdorim vetjak të qytetarëve.
Ndërkohë, lidhur me linjat e transportit interurban, deri tani janë identifikuar 11 linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit. Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale, me tarifë kalimi prej 100 lekësh me TVSH për 1 kalim.
Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës, pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova), do të kenë trajtimin si më poshtë: Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, ka 10 për qind zbritje; mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritja shkon në 20%; mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30% dhe mbi 60 kalime në muaj, zbritja arrin në 40% të tarifës.