Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste është paraqitur një dokument mbi zhvillimin e llogaridhënies publike të qeverisë, për hapjen e partisë dhe përqendrimin e vëmendjes tek njerëzit. Në të gjithë Shqipërinë, gjatë muajve maji-qershor 2018, drejtuesit e Partisë Socialiste patën planifikuar zhvillimin e takimeve të llogaridhënies së qeverisë në 383 njësitë administrative të vendit.
Sipas dokumentit, në degët e Partisë Socialiste dhe bashkitë Vlorë, Himarë, Sarandë, Delvinë, Cërrik, Belsh, Përrenjas, Librazhd, Pukë, Mat, Durrës, Kamëz, Vorë dhe Dropull janë realizuar 100 % takimet e llogaridhënies publike në të gjitha njësitë e planifikuara. Ndërsa në disa njësi të bashkive Shkodër, Dibër, Vau i Dejës, Gramsh, Selenicë, Bulqizë, Shijak, Krujë, Malësi e Madhe, Elbasan, Finiq, Kukës, Klos, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Divjakë, Lushnje, Fier, Patos, Roskovec, Mallakastër, Memaliaj, Tepelenë, Konispol etj., nuk janë zhvilluar takime për llogaridhënien publike. Për zhvillimin e takimeve janë përgjegjës deputeti i zonës përkatëse, kryetari i degës së Partisë Socialiste në bazë bashkie, i cili mban edhe raportin përmbledhës të takimit, krerët e bashkive përkatëse, krerët e qarqeve, drejtorë qendrorë, drejtorë rajonale dhe lokalë, anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS, anëtarë të Asambleve Socialiste të bashkive, këshilltarët socialistë të bashkive etj.