sh-kreu i burgjeve Artur Zoto pas më shumë se një viti fiton pafajësinë dhe nga kjo e mërkurë rikthehet në banesë. Vendimi është dhënë nga gjykata e apelit pranë krimeve të rënda e cila ka shfuqizuar dënimin e dhënë më 11 maj 2018 nga trupa gjykuese kryesuar nga Bib Ndreca. Pas lirimit të Zotot ka reaguar dhe avokati i tij Ardian Leka i cili e quan procesin ndaj klientit të tij si një mashtrim të të penduarit të drejtësisë Iliaz Labi.
Ajo gjë nuk ka ndodhur. Thoshte që flisja në telefon me Zoton por kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë. Gjykata e Shkallës së Parë u vu nën presion, Gjykata e Apelit e shqyrtoi me vëmendje. Për 2 orë do të lirohet.
Ardian Leka, avokati i Artur Zotos
Artur Zoto u arrestua në shkurt 2017 me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës pasi nga hetimet e akuzës ai u dyshua se përfitoi para për tenderat e ushqimeve në burgje. Këtë akuzë Zoto e mohoi duke kërkuar lirimin nga qelia dhe për plotë 6 herë kërkesa e tij për lirim u refuzua.
Por si u prangos Artur Zoto? Ishte dëshmia e vartësit të tij Iliaz Labi ish numri dy i burgjeve që dërgoi në arrestimin e Zotos dhe të disa biznesmenëve të dyshuar për korrupsion. Labi deklaroi para prokurores Elisabeta Imeraj se ai kishte marrë 2 milionë lekë nga tre firma konkurruese duke i ndarë paratë me eprorin e tij Artur Zoto.
Këtë qëndrim Labi e mbajti dhe gjatë dëshmisë së tij para togave të zeza, por gjithçka e konsideruar si provë dhe dëshmi deri më tani është rrëzuar këtë të mërkurë nga apeli i krimeve. Zoto qëndroi për më shumë se 1 vit në qeli ku u dënua me 5 vite burg dhe 5 vite heqje të drejtës për të ushtruar funksione publike. Me burg u dënua dhe Iliaz Labi po për shkak të statusin të bashkëpunëtorit të drejtësisë 3 vite që ai duhet të kalonte në qeli u konvertuan në shërbim prove.