TIRANË- Seanca plenare që nisi që prej orës 10:00, ka përfunduar me votimin e dekretit të Presidentit Meta për ligjin për Teatrin Kombëtar. Mazhoranca ka votuar me 75 vota pro, ligjin e rishikuar për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Ky votim i hap rrugë ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar. Opozita bojkotoi seancën. Në momentin e votimit, në seancë mungonin kryeministri Edi Rama dhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko.
Më herët gjatë seancës, Rama foli në Kuvend dhe denoncoi kryetarin e PD, Lulzim Basha se kur ishte kryetar Bashkie firmosi privatizimin e Teatrit 'Metropol' për interesa biznesi te deputeti i tij, Astrit Veliaj. Sipas Ramës, në vend të Teatrit do ngriheshin kulla shumëkatëshe për dyqane dhe apartamente banimi. Rama publikoi edhe shkresën e Bashës për privatizimin e 'Metropol'-it dhe letërkëmbimin me ministrin e atëhershëm të Ekonomisë, Florjon Mima.