'Albanian Lion 2018'/ 1200 ushtarë nga Britania, Kosova dhe Kroacia stërvitje në Shqipëri

Report TV 2018-09-22

Views 0

Ministria e Mbrojtjes njofton se për rreth tre javë Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Britanisë, Kosovës dhe Kroacisë do të përdorin bazat më të mëdha ushtarake shqiptare, në stërvitjen më të madhe ndërkombëtare që zhvillohet në vendin tonë. Rreth 1200 trupa dhe dhjetëra mjete, tokësore, ajrore dhe detare do të angazhohen në stërvitjen ?Albanian Lion 2018?, e cila do të zhvillohet deri më datë 30 shtator. Për herë të parë në këtë stërvitje, e cila zhvillohet çdo vit në vendin tonë, merr pjesë edhe një kontingjent nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Përgatitja e terrenit dhe lëvizja e mjeteve dhe trupave ka filluar që më datë 9 shtator, duke shfrytëzuar bazat më të rëndësishme ushtarake të Shqipërisë, që nga bazat detare të Kepit të Palit, Pashalimanit, Porto Palermos, gadishullin e Karaburunit, bazat ajrore të Rinasit e Farkës, garnizonin e Zall-Herrit, si dhe rajonin stërvitor të Bizës.

Qëllimi i kësaj stërvitjeje është realizimi i operacioneve të evakuimit joluftarak nëpërmjet detit dhe ajrit, duke përfshirë anije luftarake zbarkuese, helikopterë dhe forca speciale për veprimtaritë në tokë. Veprimet e para stërvitore nisën në bazën detare të Kepit të Palit ku Komandot shqiptarë bashkë me trupat britanikë ushtruan zbarkimin në tokë me mjete amfibe si dhe ushtruan veprime të ndryshme mësymjeje. Ditët në vijim fazat stërvitore do të vijojnë edhe në bazat e tjera ushtarake në vendosura në dispozicion të kësaj stërvitjeje, me përfshirjen e trupave nga Kosova dhe zhytësve kroatë.

Sakaq, sipas traditës, do të zhvillohet edhe Dita e Vizitorëve të Shquar të stërvitjes ?Albanian Lion 2018?. Ditën e hënë, më datë 24 shtator, ora 11:00, trupat dhe mjetet do të zbarkojnë në qendër të Tiranës, ku do të demonstrojnë disa nga veprimet e kësaj stërvitjeje, si dhe do të ekspozohen mjetet, pajisjet dhe armatimi i përdorur.

"Në Ditën e Vizitorëve të Shquar pritet të marrë pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, si dhe krerët më të lartë të Forcave të Armatosura shqiptare dhe trupave britanikë", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Share This Video


Download

  
Report form