Vetëm një ditë para se Prokuroria e Krimeve të Rënda, të lexojë pretencën për grupin e drejtuar nga Emiliano Shullazi, avokatët e këtij të fundit u janë drejtuar me një letër të hapur, Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku dhe drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Avokatët Meçi, Gurra dhe Bogdani, duke përmbledhur procesin hetimor dhe atë gjyqësor ndaj klientëve të tyre shprehen se procesi gjyqësor është që në nisje i paragjykuara dhe në mungesë të fakteve dhe provave të mirëfillta për akuzat e ngritur ndaj tyre.
Sipas tyre, as Shullazi dhe as të pandehurit e tjerë nuk kanë kryer asnjë prej veprave penale për të cilat akuzohen dhe se prokurorët e çështjes nuk i kanë faktuar ato sipas ligjit.
Letra e avokatëve të Shullazit dhe shokëve të tij, vjen vetëm një ditë para leximit të pretencës, lexim që mesa duket do të bëhet nga vetë drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, e cila vendosi vetë që të marrë drejtimin e hetimit për këtë çështje, që në fakt është në fazën finale të tij dhe pikërisht atë të leximit të raportit final dhe kërkimit të dënimit për të pandehurit.
Vetëm tre ditë më parë, drejtuesja Donika Prela u përplas me vartësit e saj pasi asnjë prej 17 prokurorëve të Krimeve të Rënda nuk pranoi të merrnin pjesë në shortin për caktimin e një prokurori të katërt për këtë çështje, pasi sipas tyre shorti hidhet vetëm nëse një çështje mbetet pa përfaqësues të akuzës.
Dhe sipas tyre, kjo çështje e kishte prokurorin përkatës, konkretisht Besim Hajdamatajn, i cili nuk kishte hequr dorë nga çështja, edhe në momentet që po zhvillohej ajo mbledhje. Por Prela vendosi që shorti të bëhej gjithsesi, dhe kur asnjë prokuror nuk mori pjesë, ajo caktoi veten e saj dhe prokurorin Gentian Osmani si prokurorët e rinj të dosjes Shullazi, ndërsa prokurori i deri atëhershëm Besim Hajdamataj u largua nga hetimi i çështjes të nesërmen pasi u transferua me urdhër të kryeprokurores Marku në Prokurorinë e Pogradecit.