Zëvendës ministrja e Brendshme, Romina Kuko përmes një deklarate për shtyp thotë se Ministria e Brendshme ashtu edhe Policia e Shtetit kanë reaguar drejt dhe në mënyrë korrekte pa u ndikuar nga emrat e të përfshirëve në rastin e dhunës ndaj Xhisiela Malokut.
Ajo shpreh rezervat e saj për të gjithë ata që u munduan ta përdorin politikisht çështjen. Në deklaratën e saj, Kuko sqaroi se vetëm gjatë vitit të fundit ata kanë trajtuar 4500 raste dhune
Ministria e Brendshme përtej çdo reagimi emocional apo te motivuar politikisht ripërsërit edhe njëherë qëndrimin e palëkundur institucional duke rikonfirmuar korrektesën e veprimeve të kryera nga Policia e Shtetit për rastin e Xhisiela Malokut.Gjykojmë të arsyeshme dhe nuk do të rreshtim së përsërituri se nuk ka patur asnjë favorizim të askujt pavarësisht emrit apo mbiemrit që mban.
Ky është momenti të ritheksojmë se kallëzimi dhe ndjekja penale e të kallëzuarve nuk u mbyllën nga policia edhe pse denoncuesja insistoi të tërhiqte padinë.
Brenda 24 orëve pati reagim ndëshkues duke pezulluar dhe proceduar penalisht në Prokurori punonjësin e policisë, i cili nuk veproi konform ligjit dhe detyrës.
E ritheksojmë se Policia e Shtetit nuk është ndjerë e intimiduar nga asnjë palë dhe nga askush dhe veprimet e saj kanë qenë korrekte dhe profesionale.
Ky është standardi, me të cilin Policia e Shtetit punon prej vitesh.
Pavarësisht politizimit të skajshëm të këtij rasti, për të cilin ndjejmë keqardhje të thellë dua të konfirmoj se Policia e Shtetit trajton duke iu referuar të dhënave të vitit të fundit 4500 raste të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.