Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka paraqitur në grupet e interesit propozimet e saj për të ndryshuar disa nga formulat aktuale të taksimit, në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Këto propozime, të cilat kërkojnë ndryshime në disa ligje që kanë lidhje me sistemin fiskal, duhet të kalojnë më pas në Këshillin e Ministrave e më në fund në shqyrtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Pagat
Deri tani, ishte folur për një draft lidhur me pagat më të larta, që kishte të bënte me uljen e përqindjes së tatimit mbi të ardhurat personale nga 23 për qind, që është aktualisht, në një shifër më të ulët ? mendohej 18 për qind. Kjo bëhet për atë kategori pagash, që kalojnë qoftë edhe me një lek të vetëm kuotën e 130.000 lekëve.
Ndërkohë, në draftin që u është paraqitur shoqatave të ndryshme të biznesit vihet re një ndryshim tjetër: nuk ulet përqindja e taksimit, por do të rritet më tej limiti i kategorisë që pagave, që konsiderohen si pagat më të larta. Kështu, nga 130.000 lekë, ky kufi do të kalonte në 150.000 lekë, duke pakësuar numrin e atyre që taksohen me normën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale ? 23 për qind.
Sipas Financave, përfitues do të jenë 15.400 persona.
Fitimet
Nga ana tjetër, gjithnjë në fushën e taksimit të të ardhurave, parashikohen edhe dy ndryshime, të cilat kanë të bëjnë me dividentin dhe me tatim fitimin e jo-rezidentëve. Dividenti, apo fitimi që gjeneron pjesëmarrja në ortakëri në një shoqëri tregtare, aktualisht taksohet me normën 15 për qind, ndërkohë që Financat kanë hedhur për diskutim nivele të tjera, si 8 për qind, apo 10 për ëind, gjithnjë më të ulta se niveli aktual. Në rast se miratohet kuota e parë, atëhere kjo praktikisht gati e pergjysmon të ardhurën që shteti siguron nga një gjë e tillë. Ndërkohë, për të vendosur shenjën e barazisë midis të huajve dhe shqiptarëve edhe në fushën e transaksioneve të shitblerjeve të aksioneve apo licensave, mendohet që të vendoset tatimi mbi të ardhurat personale edhe në rastet kur transaksionet i kryejnë persona, që nuk janë rezidentë në vendin tonë. Kjo kërkon një ndryshim në ligjin tjetër, atë të procedurave tatimore.