TIRANË- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka reaguar për herë të parë pas publikimit nga deputeti i PD, Ervin Salianji të videos së kunatit të Babales, Fredi Alizoti që implikon drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe kryetarin e grupit të PS, Taulant Balla. Xhafaj deklaroi se opozita i ka dalë në krah krimit dhe po sulmon policinë e shtetit me llumin e shoqërisë.
Nuk do të preferoja të bëja një koment për këtë çështje, se boll kam bërë komente për këtë, edhe për një arsye fare të thjeshtë që kjo është një çështje që i takon drejtësisë. Unë besoj se kam kulturën e nevojshme, politike, institucionale dhe ligjore që të respektoj në çdo rast autoritetet e drejtësisë dhe vendimmarrjet e tyre. Për sa i përket çështjes që është duke u përfolur kaq gjatë dhe që është bërë temë dite, është një çështje që besoj që është në një hetim të plotë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.