FIER - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Fier mëngjesin e sotëm. Një grindje mes dy vëllezërve të mitur ka përfunduar në tragjedi në fshatin Baltëz.
Ka qenë një 10-vjeçar, K.V, i cili ka goditur me thikë vëllain e tij Gj.V, 13-vjeç. Për pasojë ky i fundit ka humbur jetën në spitalin e Fierit. Ai u transportuar me urgjencë nga familjarët e tij, por nuk mundi të mbijetojë për shkak të plagëve të marra në organet jetike.
Ngjarja ka tronditur mbarë opinionin publik. Report Tv ka mësuar nga dëshmia e familjarëve në polici se dy vëllezërit e mitur ishin konfliktuar me njëri-tjetrin në ambientet e shtepisë dhe në sherr e sipër 10-vjeçari K.V, ka marrë një thikë dhe ka goditur me të vëllain e tij, duke i marrë edhe jetën tragjikisht.
Xhaxhai i vëllezërve: Po qeronin peshk kur u grindën, prindërit ishin në punë kur e morën vesh
Në një prononcim për Report Tv, xhaxhai i dy vëllezërve tha se fëmijët ishin duke qeruar peshk kur u grindën. Ai tha dy vëllezërit ishin vetëm në shtëpi kur u konfliktuan, ndërsa prindërit e tyre ishin në punë kur e morën vesh lajmin tragjik.
Janë fëmijë. U goditën me njëri-tjetrin. Di që janë grindur dhe më pas janë goditur. Ka qenë duke qeruar peshk, jo mbaje ti, pse nuk e mban ti, pastroje ti... Nuk kishin për të ngrënë, ishin edhe pa drita në shtëpi. Prindërit ishin në punë këtu afër, i njoftuan dhe erdhën. Nuk dinin gjë se çfarë ndodhi këtu në shtëpi. Nuk kishte njeri që ta ndihmonte nipin, se edhe mund të shpëtonte. Atë të voglin e mori policia.
Isa Veizi, xhaxhai i vëllezërve