TIRANE - Ishin të pranishëm mbrëmjen e 31 korrikut pranë stadiumit dinamo ku humbi jetën shoku i tyre Marvi Mihali, japin deklarime kontradiktore në sallën e gjyqit 4 shokët e tij mes tyre Armend Haxhiu, Xhulio Memo, Gynter Jaupi dhe kushëriri i të ndjerit Mihali, Xhoslin Shata.
I pari që dha deklarime ishte Armend Haxhiu student i juridikut i cili rezultoi se ishte personi që kishte konfliktin me Dejvi Bitrajn pasi i kishte shitur një celular por s'i kishte dhënë karikuesin. Para gjykatës ai u shpreh se kishte bërë veprime të palogjikshme duke marrë me vete për të sqaruar me Bitrajt, 4 shokët e tij, kur gjithçka ishte për një karikues celulari me vlerë 500 lekë.
Mes tensionit ku familjarët e Marvi Mihalit e akuzuan për deklarime të rreme, Armend Haxhiun ai zgjodhi që pyetjeve, se përse e la vetëm Mihalin dhe përse goditi i pari me grusht të rinjtë e grupit tjetër, u përgjigj se kishte gabuar. Haxhiu ishte sot në sallën e gjyqit si dëshmitar dhe jo si jurist per të dhënë deklarimin si person që ka dijeni për ngjarjen.
?U afruam për t'u sqaruar, do i jepja o lekët, o karikuesin por sapo u afrova, Bitrajt më shanë nga familja dhe unë godita i pari me grusht? -u shpreh studenti i Juridikut para togave të zeza.
Ndërsa dëshmitari Xhulio Mema deklaroi para hetuesve se ai është ndjerë i kërcënuar nga oficeri policisë gjyqësore gjatë deklarimeve që ka dhënë mbrëmjen e arrestimit në polici dhe ritheksoi se Marvi Mihali është qëlluar me thikë nga një djalë me bluze të bardhë. Po ashtu Xhulio konfirmoi dhe faktin se OPGj-të në Drejtorinë e Policisë i ishin drejtuar me fjalët: "mos i merrni në qafë të gjithë", referuar 4 të dyshuarve për këtë ngjarje Dejvi e Eugen Bitraj dhe Marsel e Kridens Alla.