Në Shëngjin, një zonë shumë e frekuentuar turistike, banorët kanë një shqetësim që prej vitesh nuk merr zgjidhje. Një aromë e fortë e krijuar nga fabrika e përpunimit të peshkut e bën ta padurueshëm qëndrimi në këtë zonë. Ndotja prek të gjithë qytetin dhe është e vazhdueshme.
Banorët nuk e fshehin revoltën e tyre për mos gjetjen e asnjë zgjidhjeje, ndërsa janë të bindur se kjo fabrikë vazhdon të ndotë ambientin duke paguar ryshfet atyre që duhet të ndërhyjnë. Kjo situatë sipas tyre është bërë e papranueshme dhe se po dëmton shëndetin e tyre në radhë të parë dhe krejt turizmin, pasi era vazhdon dimër e verë. Po sipas banorëve, ujërat e ndotura të fabrikës derdhën në det dhe në kanalizimet e ujërave të zeza të Shëngjinit.
Të kontaktuar nëpërmjet telefonit, përfaqësues të Inspektoratit Mjedisor thonë se janë ushtruar vazhdimisht kontrolle dhe nuk ka rezultuar të ketë ndotje si pasojë e shkarkimeve të ujërave nga kjo fabrikë, por nuk pranojnë të japin intervista duke e adresuar çështjen në Drejtorinë e Përgjithshme.
Më parë, kësaj fabrike i janë mbyllur dy shkarkime te kundraligjshme, njëra tek porti dhe tjetra në kanalizimet e ujërave të zeza, por aroma vazhdon të shqetësojë banorë, vizitorë e turistë.