Shifra alarmante të trafikimit të fëmijëve

RTV KLAN 2018-12-04

Views 0

Fëmijët shqiptarë, kryesisht ata të moshës 12-15 vjeç, janë ndër grupet kryesore të viktimave të trafikimit të fëmijëve në Europë. Të dhënat e Europol tregojnë se kjo grupmoshë po përdoret kryesisht për shpërndarje droge dhe punë të rëndomta. Vetëm Britania raporton për 900 fëmijë shqiptarë në vit që trafikohen ose kontrabandohen.

"Raporti i Europolit është shqetësues pasi për herë të parë flet për krimin shqipfolës që lidhet me trafikimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve, ata shfrytëzohen për shpërndarje droge, punë të zezë dhe lavazhe. Nga ana tjetër po të shikojmë vende si Britania e Madhe, ata raportojnë 600-900 fëmijë shqiptarë në vit, që shkojnë ose si fëmijë të kontabandimit ose trafikimit. Edhe raporti i Europolit dhe ato të tjera konfirmojnë që fëmijët shqiptarë dhe ato adoleshentë janë një ndër grupet kryesorë të viktimave të trafikimit të fëmijëve në Europë".

Por çfarë bëhet me këta fëmijë të trafikuar? Shqipëria nuk ka ende shërbime për t?i asistuar dhe riintegruar.

"Ne nuk kemi një plan kombëtar të mirëfilltë për eliminimin e të gjitha formave të shfrytëzimit të fëmijëve, sidomos trafikimit. Shërbimet tona nuk janë të përgatitura, as për të financuar nevojat specifike për riintegrimin e tyre, por edhe shërbimet janë shumë të munguara në pjesën më të madhe të Shqipërisë".

Në raportin e Europol thuhet se një grup shqiptar që merret me trafikim e fëmijëve, e ka të programuar rrëmbimin e të vegjëlve dhe më pas dhënien e tyre për birësim të paligjshëm.

Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se në 2017 janë proceduar 17 çifte shqiptare që kishin lënë fëmijët e tyre në Itali me qëllimin për t?i shfrytëzuar në punë të ndryshme. Ka të dhëna se mjaft familje të tjera i braktisin fëmijët në vende të ndryshme të Unionit për të përfituar azil.

Sipas Europol, në vitin 2017 rezulton se janë trafikuar 5 mijë fëmijë në mbarë Europën, pjesa më e madhe e të cilëve, shqiptarë.

Share This Video


Download

  
Report form