Qeveria hedh një hap të rëndësishëm drejt dialogut me studentët. Nga rubrika "Përgjigjja ime" në Facebook, kryeministri Edi Rama ka ftuar zyrtarisht studentët për të krijuar një strategji të përbashkët student-qeveri për t'i dhënë zgjidhje kërkesave të tyre. Më herët kryeministri ftoi studentët në bashkëbisedim live në Facebook nesër (e hënë) në orën 11:00. Rama shkon edhe më tej kur thotë se është i hapur për të ngritur një mekanizëm bashkëqeverisje me studentët.
Studentët i janë përgjigjur negativisht ftesës së dytë të kryeministrit Edi Rama për të zhvilluar një bashkëbisedim live në rrjetin social Facebook të hënën në orën 11:00. Menjëherë pas kësaj ftese të kreut të qeverisë, studentët e mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit kanë refuzuar, duke i kërkuar kryeministrit që të plotësojë kërkesat e tyre. "Nuk pranojmë as dialog dhe as negociata. Edi Rama duhet të miratojë kërkesat tona. Kryeministri nuk na pyeti kur miratoi buxhetin. S'ka për çfarë të na pyesë as tani. Kërkesat tona janë të panegociueshme", kanë thënë studentët të cilët vijojnë të protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit prej orës 10:00.