Parlamenti ka rrëzuar amendimet e propozuara nga opozita për ligjin e arsimit të lartë, propozim që solli një pjesë të deputetëve të të dyja forcave opozitare në Kuvend afro 5 muaj pas fillimit të bojkotit.
Rikthimi i tyre riktheu dhe tensionet në sallën e Parlamentit. Kryeministri u shpjegoi dhe arsyet përse propozimet e tyre ishin të papranueshme.
"Propozimet e opozitës janë të refuzuara sepse janë për të mos u bërë kurrë".
Për herë të parë Kryeministri pranon se protesta studentore ishte shuplakë për qeverinë, por sipas tij goditjen më të madhe nga ajo e ka marrë opozita.
"Protesta i dha një shuplakë qeverisë, grusht opozitës dhe një shpresë shoqërisë. Shoqëria kërkon zgjidhje dhe nuk mund ta pranojë që zgjidhja mund të vijë me porosi nga doktoresha e shkencave Monika Kryemadhi dhe profesor Lulzim Mziu, apo profesor Qorri. Zgjidhja vjen me dialog. Opozita kërkon bllokim të zgjidhjes.
Përballë këmbënguljes së studentëve për të mos dialoguar për 8 kërkesat e tyre, vendoset këmbëngulja e Kryeministrit që ripërsërit ftesën për dialog.
"Qeveria e ka zgjidhjen dhe do e japë me dialog".
Kryeministri thekson se të 8 kërkesat e tyre janë të realizueshme dhe është gati t?i realizojnë, ndonëse një pjesë e tyre është në dorë të rektorateve. Por me studentët thotë se do të flasë sy më sy për mënyrën sesi duhet të vijë kjo zgjidhje.
Zgjidha, sipas Ramës, mund të vijë vetëm nëse bëhen bashkë qeveria, studentët, dekanet dhe rektorët për të cilët ka jo pak rezerva për mosreagimin ndaj përgjegjësive të tyre. E thënë këto, ai akuzon opozitën dhe aktorë të tjerë të përfshirë për të penguar zgjidhjen.
Pavarësisht se studentët e kanë refuzuar deri tani ftesën e tij për dialog, Kryeministri shprehet i bindur se do t?i fitojë zemrat e tyre, çka do i sjellë dhe fitoren e zgjedhjeve.