Shqiptarët do ta presin Vitin e Ri pa fishekzjarrë. Lëndët plasëse, piroteknike dhe fishekzjarrët janë bllokuar prej disa javësh, ndërsa nuk do të lejohen që të hidhen as në datë 31 Dhjetor. Në fund të muajit nëntor, pas plagosjes së polices Ina Nuka me kapsollë, Ministria e Brendshme nxori një urdhër që ndalonte përdorimin e kapsollave në Shqipëri.
Ndërkohë që në datën 18 dhjetor ministrat Sandër Lleshaj, Olta Xhaçka dhe Arben Ahmetaj firmosën urdhrin për ndalimin e përdorimit nga qytetarët të fishekzjarrëve dhe kapsollave me përjashtim të një kategorie që nuk përbën aspak rrezik për qytetarët. Report Tv zbardh vendimin e plotë që sqaron ndalimin e fishekzjarrëve dhe kur mund të përdoren.
Fishekzjarrët do të lejohen të futen në Shqipëri vetëm në raste festash kombëtare ose lokale të organizuar nga institucionet publike. Po kështu fishekzjarrët mund të përdoren në raste festash familjare si dasma ose ditëlindje në lokalet ku festohet, por gjithmonë pasi më parë të jetë vënë në dijeni komisariati që mbulon zonën. ?Ndalohet prodhimi, importi, eksporti, magazinimi, shitja dhe përdorimi i të gjitha substancave piroteknike dhe fishekzjarrë të cilat përmbajnë squfur, fosfor të përzier me klorat potasiumi, klorate të tjera, apo që përmbajnë njërën nga përzierjet e tilla.
Artikujt piroteknikë dhe fishekzjarrë për përdorim civil lejohen të përdoren vetëm nga subjekte të licencuara për përdorimin e lëndëve plasëse, piroteknike dhe fishekzjarrë, në raste festash kombëtare/lokale të organizuara nga institucionet publike, evente festive, ose në rast festash familjare (dasma, ditëlindje), pas vënies në dijeni të Komisariatit të Policisë, që mbulon juridiksionin territorial ku do të zhvillohet aktiviteti? thuhet në vendimin që u firmos nga tre ministritë.