Presidenti Meta komenton ndryshimet ne qeveri

RTV KLAN 2018-12-28

Views 0

Dekretet me emrat e ministrave që ikin dhe atyre që vijnë do të jenë shumë shpejt në tavolinën e tij, por presidenti Ilir Meta thotë se nuk është i rëndësishëm ndryshimi i emrave, por i filozofisë së qeverisë.

"Për mua është thelbësore të ndryshojë filozofia e qeverisjes, e cila duhet të jetë një filozofi bashkëpunuese. Bashkëpunuese me opozitën, bashkëpunuese me grupet e interesit, për bërjen e ligjeve më të mira dhe zbatimin e tyre".

I pyetur nga gazetarët pas një aktiviteti në Korçë, Meta sjell si shembull ministrin e Bujqësisë.

"Meqenëse edhe vetë Korça e lidh mjaft fatin e saj me zhvillimin e bujqësisë e të industrive që bazohen te ajo, mund të them që mund të ndryshohet çdo gjashtë muaj ministri i Bujqësisë, por në rast se nuk ndryshohen politikat për zhvillimin e bujqësisë, për mbështetjen e bujqësisë, ndryshimet e emrave, nuk u vlejnë as fermerëve, as ekonomistëve të vendit".

Thotë se nuk janë të rëndësishëm emrat që vijnë në qeveri, por raporti që krijojnë me qytetarët.

"Për mua nuk është e rëndësishme se nga vijnë e si vijnë apo si ikin ministrat. Për mua është e rëndësishme të reflektojmë dhe të përmirësojmë raportin me të vërtetën dhe me njerëzit".

Dekretimi i fundit nga presidenti Meta ishte ai i Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm që shkaktoi një përplasje mes tij dhe kryeministrit Rama.

Tv Klan

Share This Video


Download

  
Report form