Temperaturat e ulëta dhe i ftohti i janarit kanë rikthyer reshjet e dëborës në mbarë vendin duke përfshirë zonat në veri, verilindje dhe juglindje të vendit. Mësohet se reshjet e dëborës në zonat malore në Korçë kanë filluar të shkaktojnë problemet e para në qarkullim dhe lëvizjen e automjeteve. Nga të dhënat rezulton se në rrethet kryesore të vendit në juglindje janë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeve si në Dardhë, Voskopojë dhe Qafa e Qarrit në Ersekë ku për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve të dëborës lëvizja e automjeteve bëhet me zinxhirë.
Ndërkohë bëhet e ditur se të gjithë akset kryesore nacionale janë të kalueshme, por për shkak rënies së temperaturave dhe reshjeve të dendura të dëborës kërkohet që në akset Korçë-Dardhë dhe Korçë-Voskopojë lëvizja të bëhet me zinxhirë.
Gjithashtu raportohet se në zonën e Llogarasë në Vlorë, gjatë natës ka patur reshje të denduara dëbore dhe qarkullimi lejohet të bëhet vetëm me zinxhirë për shkak të problemeve me ngricat në rrugë. Bëhet e ditur se trashësia e dëborës shkon nga 10 centimetra në zonat e banuara deri në 20 centimetra në zonat e larta.
Ndërkohë, prej mesditës së djeshme edhe zonat në Veri dhe Verilindja janë përfshirë nga reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta të cilat gjatë natës kanë rënë nën zero gradë celcius. Në Rajonin Verior reshje bore ka pasur në qarqet Kukës, Dibër dhe Shkodër ndërsa në Tropojë reshjet kanë qenë më të ulëta.