Klemend Balili qëndron i izoluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë. Paraditen e së mërkurës, 45-vjeçari është vizituar nga familjarët e tij. Makina tip Benz që shoqëroi Balilin ditën që ai u dorëzua në polici qëndroi e parkuar përballë Drejtorisë së Policisë të kryeqytetit për më shumë se 30 minuta.
I ashtuquajturi ?Eskobari i Ballkanit?, pritet të dalë të enjten në orën 14:00 përballë Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku do të verifikohet masa e sigurisë. Pas verifikimit të masës së sigurisë, pritet që Balili të transferohet drejt ambienteve të paraburgimit në Tiranë.
Më herët ndaj tij është caktuar masa e arrestit me burg, në mungesë. Dosja tashmë është dërguar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokuroria ka ngritur akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal, refuzim për deklarim të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ose veprimtarisë kriminale.
Pas më shumë se dy vite në arrati, Balili u dorëzua në polici mëngjesin e së martës. Pasi u përcoll nga familjarët, Balili hipi në makinën tip Benz dhe iu drejtua vendit ku e priste kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, rreth 2 kilometra nga fshati Stjar, pranë vendit të njohur si ish-pularia.
Tv Klan