Pas votimit në seancën e pasdites së djeshme (lexo këtu) të dekreteve të kreut të shtetit Ilir Meta lidhur me ndryshimet në qeveri, 7 ministrat e rinj dhe zv/ kryeministri morën sot zyrtarisht detyrën pas betimit në Presidencë. Ceremonia e betimit u zhvillua në orën 14:30. Nga Kuvendi përfaqësues ishte Vasilika Hysi, ndërsa nga Kryeministria, Rama nuk preferoi që të ishte vetë i pranishëm duke dërguar Sekretarin e Përgjithshëm. Ndër ata që tërhoqën vëmendjen ishte zv/ kryeministri i ri Erjon Braçe, i cili u shfaq i buzëqeshur në momentin që hyri në Presidencë, por i ngrysur gjatë betimit para kreut të shtetit.
Tashmë pritet përgjigja e Presidentit për dekretin e Ramës për postin e ministër të Jashtëm. Marrëdhëniet mes Presidentit dhe kryeministrit nuk janë aspak të qeta pas replikave të forta në distancë pas refuzimit që kreu i shtetit i bëri Gent Cakajt për postin e ministrit të Jashtëm. Kreu i ekzekutivit i dha zgjidhje krizës duke marrë vetë edhe postin e ministrit të Jashtëm përkohësisht deri kur të shprehet gjykata Kushtetuese, nëse Presidenti ka të drejtë të kthejë dekretet. Ndërkohë që Meta ka afat deri të hënën që të shprehet për dekretin e Ramës.
Ministrat e rinj të kabinetit ?Rama 2?
Zëvendës- kryeministër Erion Braçe
Ministre e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj
Ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku
Ministre e Kulturës Elva Margariti
Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë Besa Shahini
Ministër për Sipërmarrjen Eduard Shalsi
Ministër i Bujqësisë Bledi Çuçi
Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali