Nesër Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë vendimin për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela. Në seancën dëgjimore, Komisioni zbuloi disa parregullsi (lexo këtu). Ndërkohë që sot, partia Demokratike përmes deputetit Alibeaj kërkoi që "përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, KPK duhet të verifikojë nga kamerat e sigurisë a është takuar drejtuesja e Krimeve të Rënda në nëntor-dhjetor të vitit të kaluar me anëtaren e vetingut Valbona Sanxhaktari dhe a është pjesë e dosjes 339, duke u kapur në përgjim me Astrit Avdylajn?" thuhet ndër të tjera në deklaratën e PD-së.
Pjesë nga deklerata e deputetit të PD Alibeaj
Rasti i drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela po konfirmon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një vegël në duart e pushtetit për të mbajtur në sistem prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar. Në dosjen e Donika Prelës ka dokumenta që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri një përpjekje të lavdërueshme për të hedhur dritë mbi aktivitetin e paligjshëm të Donika Prelës, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është urdhëruar të mbajë në sistem një tjetër prokurore të korruptuar, të shantazhueshme nga politika dhe nga bandat.