TIRANE-Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Bujar Sheshi ka kallëzuar në prokurorinë e kryeqytetit Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) që drejtohet nga Gentiana Sula. Sheshi ka kallëzuar drejtuesen e institucioni dhe anëtarët për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre, pasi në letrën e dërguar prokurorisë në datë 22 janar të këtij viti theksohej se prokurori ka qenë ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, por edhe pjesë e degës së hetuesisë së Fierit që nga viti 1979. Report Tv siguron kallëzim e plotë, ku Sheshi thekson se të dyja konkluzionet janë të rreme, ndërsa shpjegon edhe arsyet se përse.
?Unë kam deklaruar dhe rideklaroj nën përgjegjësinë time ligjore që nuk kam qenë asnjëherë në jetën time as bashkëpunëtor dhe as anëtarë i Ish Sigurimit të Shtetit; Të gjitha faktet e pasqyruara janë të rreme sepse nuk përputhen dukshëm me të dhënat e administruara nga AIDSSH. Gjeneralitet e mija nuk përputhem, në disa komponentë, me gjeneralitet e përshkruara në këtë dokument. Në vendim nuk ka asnjë shpjegim se si Autoriteti ka arritur në konkluzionin që personi i përshkruar në këtë dokument jam pikërisht unë Bujar Sheshi, për të cilin, Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar informacion, në kushte kur gjeneralitet nuk përputhen dhe për më tepër kur nuk ka asnjë të dhënë tjetër në lidhje me aktivitetin e këtij personi. Jam emëruar në datë 12.07.1979 , me detyrën e hetuesit në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit dhe ky fakt është i pasqyruar qartësisht në jetëshkrimin tim apo në çdo dokument të tjetër që ka të bëjë me kandidimin për Anëtatë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe jo vetëm.
Në vitin 1974 bazuar në dekretin nr.5139 datë 30.01.1974 , të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, hetuesia është unifikuar dhe është përqendruar pranë Ministrisë së Brendshme dhe vepron në bazë të rregullave të Kodit të Proçedurës Penale. Është e shprehur qartë në dekret dhe rrjedhimisht është e qartë edhe për çdo anëtarë të AIDSSH-së se mbas vitit 1974, Hetuesia dhe Organi i Sigurimit të Shtetit kanë qenë dy organe të ndryshme. Në këto kushte konkluzioni se bazuar në ligjin 45 të vitit 2015, ka të dhëna ??....figuron të ketë materiale në emër të tij, si anëtar, në dokumentat e sigurimit të shtetit.? është i rremë dhe është shënuar në vendim, me qëllim cënimin e integritetit tim moral dhe profesional? thuhet në kallëzim.
Ndërkohë që pas letrës së Autoritetit të Dosjeve, Komisioni i Monitorimit të Reformës në Drejtësi pranë Kuvendit, vlerësoi dje se Bujar Sheshi është në kushtet që s?mund të jetë anëtarë i KLP-së, pasi rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Në rekomandime, i kërkohet Këshillit të dalë me vendim ndërsa Komisionit të Ligjeve të thërrasë në seancë dëgjimore autoritetin e Dosjeve, pasi vonoi përgjigjen. Në ditët në vijim pritet që të merret një vendim edhe nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pjesë e të cilit është edhe Sheshi.