Mbyllet komisioni 'Tahiri'. Balla: Ka skaduar mandati në 6 dhjetor. Paloka: Do kërkojmë ringritjen

Report TV 2019-01-30

Views 0

Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar sot kërkesën e opozitës për zgjatjen e afatit të komisionit hetimor parlamentar "Tahiri". Pas mbledhjes, në një deklaratë për mediat, nënkryetari i PD, Edi Paloka u shpreh se opozita do bëjë një tjetër kërkesë për ringritjen e komisionit që do të hetojë veprimtarinë e ish-ministrit të Brendshëm i vënë nën akuzë për trafik droge me Habilajt, por edhe të personazheve të tjera të maxhorancës të akuzuar nga opozita për lidhje me krimin.

"Do dorëzojmë një tjetër kërkesë. Kërkuam të shtyheshin afatet e komisionit hetimor. Kjo qeveri ka lidhje direkte me drogën. Në momentin më të parë që do të përgatitet kërkesa, do ta dërgojmë. Hetimet do bëhen nga Rama e deri te Taulant Balla, jo vetëm për Tahirin. Lidhjet e qeverisë me krimin vijojnë të jenë problem madhor. Ka emrin e Tahirit komisioni, por lidhet me fenomenin, me emrat që kanë qenë dhe janë sot në qeveri", tha Paloka.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se mandati i komisionit ka përfunduar që në datën 6 dhjetor 2018 kur PD dhe LSI ishin në bojkot. Sipas tij, vijimi i punës së këtij komisioni pas këtij afati, do përbënte shkelje ligjore. Megjithatë, Balla la të hapur mundësinë e ringritjes së komisionit nëse opozita do ta kërkojë.

Share This Video


Download

  
Report form