Të pavlefshme e ka quajtur letrën e vitit 2013 që presidenti Thaçi ua kishte dërguar KFOR-it, ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha. Përmes letrës të cilën presidenti Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër, i kishte dërguar KFOR-it në vitin 2013, u kishte garantuar atyre se pjesëtarët e FSK-së nuk do të veprojnë në veri pa e njoftuar paraprakisht KFOR-in.
Ministri Berisha në një intervistë për TV Klan ka thënë se letra ka të bëjë me mandatin e kaluar të FSK-së.
"Ato kufizimet ajo letra e 2013-ës që FSK-ja të mos dalë në veri, ajo ka të bëjë me mandatin e kaluar. Ndërsa tash Forca e Sigurisë ka mandatin e ri dhe në kuadër të mandatit të ri ne do ti ndërtojmë edhe procedurat operative dhe standardet për veprimtarinë tonë në tërë territorin e Kosovës".
Ai ka thënë se ka në plan që të veprojnë në veri në fazën e tretë të tranzicionit dhe se çdo veprim do të ndërmerret në bashkëpunim me KFOR-in. Sipas tij, asnjë politikan nuk mund të ndalojë që ushtria e Kosovës të veprojë në tërë territorin e Kosovës.
"Dalja jonë në veri është herët të diskutohet sepse jemi në fillim të realizimit të planit. Në fazën e tretë të tranzicionit synojnë që të jenë pjesë në veri, por të gjjitha veprimet me NATO-n dhe KFOR-in".
Ministri Berisha thotë se bashkëpunimi me KFOR-in nuk ka ndryshuar dhe synojnë që të vazhdojnë këtë bashkëpunim dhe integrimin e ushtrisë së Kosovës në NATO.
Ndërkohë zyra për media e KFOR-it ende nuk është përgjigjur për pyetjen e TV Klan nëse për ta vazhdon të jetë e vlefshme marrëveshja e 2013-ës.
Por në një takim që ka pasur Admirali i NATO-s, James Foggo më 31 Janar me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj 10 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjeve për ndryshimin e mandatit të FSK-së, ua ka përmendur atyre pikërisht këtë letër të 2013-tës. Ai kishte kërkuar nga ta që të vazhdojnë t'i përmbahen kësaj letre.
Tv Klan