Protesta e opozitës në 16 Shkurt/ Policia: Persona me precedent skenar për destabilitet

Report TV 2019-02-12

Views 0

TIRANE-Katër ditë nga data kur opozita ka paralajmëruar protestën para Kryeministrisë kundër qeverisë Rama, Policia e Shtetit shpreh shqetësimin për përfshirjen në tubimin e organizuar nga PD dhe LSI-ja të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri. Policia e Shtetit i bën apel opozitës që në protestën e së shtunës që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike. Gjithashtu policia paralajmëron kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim parandalimin e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestë.

"Policia e Shtetit u bën apel forcave politike të angazhuara për tubimin e datës 16 shkurt që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike. Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri. Duke garantuar të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve që manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që s'kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta.

Policia e Shtetit informon gjithashtu se do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë" deklaron Policia e Shtetit. Opozita e bashkuar në datë 16 shkurt, ditën e shtunë ka thirrur në protestë qytetarët shqiptarë kundër qeverisë Rama. Protestës së të shtunës opozita i ka paraprirë me tubime në të gjitha qytetet.

Share This Video


Download

  
Report form