Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ishte i ftuar në emisionin '45 Minuta' të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv për të folur për protestën e opozitës, mundësinë e hapjes së negociatave dhe debatin për kufirin Kosovë-Serbi. Për Mediun protesta që opozita do të zhvillojë të shtunën duhet të jetë e pandërprerë deri në largimin e Ramës.
I pyetur se ku bazohet kryetari i PD-së, Lulzim Basha se Shqipërisë nuk i hapen negociatat në qershor, Mediu tha se 'Maqedonia do të fillojë negociatat dhe Shqipëria do të rrijë në pozicionin që ka qenë, këto janë të gjitha gjasat. Lulzim Basha e di si merret vendimi, merret në disa shtete kryesore, Gjermania, Franca, Holanda.
Ka një mungesë marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për shkak të Ramës dhe këtë e di Basha. Mendoj që atij ia kanë thënë 100%, derisa e thotë. Zgjidhja është qeverisje që krijon besim te shqiptarët" tha ai.
Duke u ndalur te debati për rishikimin e kufijve Kosovë-Serbi, Mediu zbuloi bisedën me Presidentët Thaçi dhe Meta gjatë një darke, teksa ndodheshin në SHBA. "Thaci më tha që ne kërkojmë të marrim Preshevën, por nuk besoj se Kosova nuk njihet nga Serbia se nuk na ka dhënë Preshevën. Unë e pyeta cfarë do të japim? Ai tha nuk do të japim asgjë. Mund të bëjmë ndonjë korrigjim të lehtë kufijsh" përfundoi ai.