Ministri i Bujqësisë z.Bledi Çuçi ishte sot në Lushnje për të inspektuar punimet për rehabilitimin e kanaleve vaditëse Murriz-Thanës-Krutje (V1 & V2), një investim ky i Bankës Botërore me vlerë rreth 3.4 milionë dollarë. Ai shoqërohej nga zv.Kryeministri, Erion Braçe dhe njëherazi deputeti i asaj zone. Gjatë bisedës me përfaqësues të kompanisë kineze që po kryen punimet dhe të firmës mbikëqyrëse, ministri Çuçi kërkoi që investimi të përfundojë në kohë, në mënyrë që fermerët e asaj zone të kenë ujë për të vaditur tokat e tyre gjatë verës.
?Ka kaluar më shumë se gjysma e kohës sipas kontratës dhe është realizuar rreth 17% e punimeve. Ju duhet të shtoni kapacitetet me mjete dhe njerëz, si dhe të rishikoni grafikun e kryerjes së punimeve. Investimi duhet të përfundojë në muajin maj. Deri atëhere unë do të jem sërish këtu për të parë ecurinë e punës dhe nuk do të tolerohen vonesat?, u tha ministri Çuçi drejtuesve të punimeve në kantier.
Rehabilitimimi i kanaleve vaditëse V1 & V2 ka nisur në muajin tetor të vitit 2018. Punimet duhet të përfundojnë brenda 8 muajve nga nënshkrimi i kontratës. Janë rreth 4 mijë e 300 hektarë tokë bujqësore në zonën e Myzeqesë që vaditen prej këtyre kanaleve, të cilat furnizohen nga rezervuari i Thanës, i cili është një prej më të mëdhenjve në Shqipëri dhe madje në rajon. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkë me mbështetjen e partnerëve, do të vijojë investimet në skemat e ujitjes në të gjithë vendin, për t?u krijuar fermerëve të gjitha lehtësitë që ata duhet te kenë për të ushtruar aktivitetin bujqësor.???