TIRANE-Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka zgjedhur kryetarin e ri. Ai është Bujar Spahiu, që deri tani ka mbajtur postin e nënkryetarit, ndërsa tashmë do të drejtojë KMSH-në në një mandat 5-vjeçar. Bujar Spahiu arriti që të siguronte fitoren që në raundin e parë, pasi mori 59 vota, ndërsa myftiu i Tiranës Ylli Gurra mori 26 vota dhe kandidati i tretë Gramoz Blliku, vetëm 2 vota.
Fjala e plotë e kreut të ri të KMSH-së, Bujar Spahiu
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë! Ju, sot më keni nderuar, por njëkohësisht më keni vënë përpara një vështirësie të madhe. Unë i lutem Zotit të më nderojë dhe të më bëjë të mundur të jem i drejtë në këtë detyrë kaq të vështirë. Të nderuar anëtarë, ju lutem shumë edhe juve, lutuni për mua, lutjuni Zotit që të ma bëjë më të lëhtë këtë barrë.
Të nderuar përfaqësues të Komiteti Shtetëror të Kulteve ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj në këtë proces! Unë siguroj shtetin shqiptar nëpërmjet jush se, do të shërbej në këtë detyrë me përkushtimin e një njëriu të bindur ndaj Zotit dhe do të bëj përpjekjet e mia maksimale të jem një shqiptar i mirë. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nën lidershipin tim do ruajë traditën e paraardhësve të mi të nderuar. Do të jetë puna ime parësore ruajtja dhe forcimi i harmonisë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.
Të nderuar përfaqësues dhe partnerë ndërkombëtar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë kontribues i paqes, harmonisë dhe dialogut në vend. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të jetë në pararojë të luftës kundër çdo lloj ekstremizmi, Ne si myslimanë jemi përgjegjës përpara Zotit për përhapjen e paqes dhe dashurisë jo vetëm midis besimtarëve tanë, por për përçimin e paqes dhe dashurisë ndërnjerëzore.