Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha refuzon thirrjen e Presidentit Ilir Meta për të bërë një hap pas në konfliktin politik për të dalë nga kriza, pasi vendi ndodhet në prag të vendimit për hapjen e negociatave. Pas takimit me Presidentin slloven, Basha tha se nuk do të ketë hapa pas, por vetëm përpara, sipas tij përballë kësaj qeverie të lidhur me krimin dhe beteja e radhës është nesër para parlamentit.
"Nuk kam ndërmend të komentoj asnjë deklaratë të presidentit Meta, por mund t?ju them se në përballjen me krimin e organizuar dhe një qeveri të kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet dhe për të vjedhur paratë e shqiptarëve, nuk ka për të pasur asnjë hap pas. Ka për të patur vetëm hapa përpara se vetëm hapat përpara, largimi një orë e më parë i Edi Ramës dhe një qeveri e palidhur me krimin e organizuar, që mundëson zgjedhje të lira e të ndershme, do t?u japë shqiptarëve atë që meritojnë: një parlament dhe qeveri prodhim i votës dhe vullnetit të tyre dhe jo prodhim i niçeve, i bajrave, i shullazëve me shokë.
Në raport me këtë çështje, asnjë hap pas, por vetëm hapa përpara, duke nisur nesër me bashkimin e qytetarëve në protestë para Asamblesë së dalë nga vota e krimit dhe jo nga vota e qytetarëve. Nesër në oren 10.00 i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mi të jemi të gjithë bashkë, sepse kjo është një betejë që na bashkon dhe nuk na ndan, është një betejë që nuk bëhet për pushtet, nuk bëhet për një parti politike. Bëhet për ta çliruar vendin nga zgjedha e krimit" tha Basha.
Presidenti Ilir Meta pasditen e sotme u bëri apel palëve politike të bëjnë hapa pas për të rivendosur normalitetin në atë që ai e quajti krizë politike, kushtetuese dhe institucionale në Shqipëri, por duket se opozita është e vendosur për të vijuar aksionin.