Në bazë të vlerësimit që ka përfunduar Agjencia e Trajtimit të Pronave, shteti shqiptar u detyrohet ish-pronarëve 600 milion Euro për kompensimin dhe kthimin e pasurive të tyre. Afati ligjor 3 vjeçar që Agjencia kishte për të kthyer përgjigje për 24 mijë dosjet e ish-pronarëve përfundoi në fund të muajit shkurt dhe tani do të duhet t?u kthejë pronarëve kompesimin mbi këtë faturë. Por shoqata Pronësi dhe Drejtësi thotë se kjo vlerë do të ulet me 2 deri në 3 herë, ndërsa në fakt fatura reale duhet të ishte 4.9 miliard Euro.
Kreu i kësaj shoqate Myrshit Vorpsi, thotë se tashmë që afati i shqyrtimit të çështjeve për Agjencinë e Pronave ka përfunduar, janë 6800 dosje të cilat nuk kanë marrë përgjigje dhe do të shkojnë në gjykatën civile.
Për ta shpresa e vetme është një përgjigje nga Strasburgu.
U bënë tre vjet nga ankimimi i parë për vlerësimin e kompensimit të ish-pronarëve me ligjin e ri të pronave të vitit 2015-ë, por ende nuk ka një vendim nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ankimuesit presin këtë muaj që të shpallet vendimi i parë, në bazë të të cilit edhe qeveria do të marrë përgjigje nëse ka vepruar drejt me këtë proces. Për 89 çështje që pronarët presin përgjigje nga Strasburgu, vlera që kërkohet dëmshpërblimi është 490 milion Euro, ndërsa nëse vendoset e njëjta zgjidhje edhe për 24 mijë dosjet e tjera, fatura për buxhetin e shtetit bëhet e papërballueshme.
Tv Klan