TIRANE - Sot KQZ ju dha mandatin edhe dy deputetëve të tjerë të PD, ndërsa nga LSI Ralf Gjoni dorëzoi formularin duke pranuar të jetë deputet. Report TV mëson 14 emrat e tjerë, të cilët KQZ i thërret për të marrë mandatin, pasi kandidatët e raundit të parë refuzuan të sillnin formularin e dekriminalizimit.
Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Tiranës në listat zgjedhore të 2017-ës, Ralf Gjoni, ka dorëzuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, formularin e vetëdeklarimit, duke hedhur kështu hapin e parë ligjor drejt marrjes së mandatit të deputetit. Në seancë e radhës, KQZ do të shqyrtojë formularin e tij në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, për t'i dhënë më tej zyrtarisht mandatin e deputetit.
Po sot, siç ishte paralajmëruar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin e deputetit, dy kandidatëve nga listat e PD-së, Ligoraq Karamelos dhe Alban Zenelit. Ky i fundit zëvendëson në Kuvend, ish-deputetin Flamur Noka në qarkun e Kukësit, ndërsa Ligoraq Karamelo merr mandatin e Ervin Salianjit në qarkun e Korçës.
Kujtojmë se një ditë më parë, KQZ u dha mandatin e deputetit edhe 5 kandidateve nga listat shumemërore të PD dhe LSI, ndërsa deri më tani në total KQZ u ka dhënë mandatin 11 kandidatëve nga listat e PD dhe LSI.
Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot u ka dërguar zyrtarisht njoftimin 14 kandidatëve në listat vijuese nga PD dhe LSI, pasi kandidatët e raundit të parë refuzuan të sillnin formularin e dekriminalizimit. . Kandidatët kanë 10 ditë koë për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Nëse ata nuk e dorëzojnë brenda këtij afati, rrjedhimisht mandati i tyre digjet, dhe KQZ njofton me radhë kandidatët e tjerë deri në shterimin e listës.
Në total, me 11 kandidatët që pranuan mandatin, Ralf Gjonin që dorëzoi formularin, dhe tre deputetët që ndryshe nga grupi nuk hoqën dorë nga mandati (Mylsim Murrizi, Rudina Hajdari dhe Lefter Koka) opozita e re parlamentare shkon në 15 deputetë.